Veshja Zadrimore
Veshja Zadrimore nga Tezgjahu i Vjeter drejt
Mbrojtjes Boterore.
Veshja Zadrimore
Veshja Zadrimore
Veshja e Zadrimës nga Tezgjahu i Vjetër drejt Mbrojtjes Botërore
Grupi i nxënësve të shkollës "Pjetër Zarishi" Blinisht
Përpjekja për të përfshirë veshjen tradicionale të Zadrimës në listën e pasurive botërore të UNESCO-s ka nisur me një hulumtim të thellë shkencor, ku etnografët dokumentuan elemente simbolike që dëshmojnë një histori mijëvjeçare. Ky proces u pasua nga hartimi i një dosjeje voluminoze prej 600 faqesh, e cila përmban dëshmi të gjalla dhe detaje teknike mbi mjeshtërinë e punimit në tezgjah.
Një hap vendimtar u hodh në shkurt të vitit 2026, kur veshja mori statusin zyrtar si pjesë e Katalogut Kombëtar të Trashëgimisë Jomateriale, duke plotësuar kështu kushtin ligjor për aplikimin ndërkombëtar. Paralelisht, është hartuar një plan konkret për mbrojtjen e kësaj tradite, i cili synon hapjen e punishteve të reja për t’ua trashëguar këtë zeje brezave të rinj. Ky rrugëtim synon që, pas suksesit të Xhubletës, edhe veshja zadrimore të njihet botërisht si një kryevepër e gjallë e kulturës shqiptare.
Elementet përbërës të veshjes zadrimore.
1. Veshja e Nuses
-
Peshqiri, i punuar në tezgjah me melez dhe motive shumëngjyrëshe në të dy anët.
-
Këmisha e gjatë: Pëlhurë e bardhë (pambuk, melez, mëndafsh). Ka mëngë shumë të gjera, të punuara me qëndisje në skaje dhe tek jaka e saj.
-
Tlina: Janë të holla prej pambuku të bardhë, të qëndisura në fund, që vishen poshtë këmishës dhe shkojnë deri te kyçet.
-
Duvak, copë me ngjyrë të kuqe e punuar në tezgjah me kryq në pjesën e kokës.
-
Brezi: Rrip i gjerë rreth belit që mban veshjen kompakte. Te nuset është i qëndisur me fije ari ose argjendi.
-
Boçja: Vendoset mbi këmishë përpara. E punuar me tezgjah dhe me motive shumëngjyrëshe sipas moshave (e kuqe, e gjelbër, vishnje).
-
Kuret: Copë shajaku me ngjyrë të kuqe dhe gojtana në pjesën e sipërme dhe ngjyrë të zezë pjesa e poshtme, ndërsa pjesa e fundit (rreth 20 cm) me ngjyrë të kuqe.
-
Pshtjellsë: Elementi që mbulon pjesën e pasme të nuses. Është e punuar në tezgjah me fije leshi të hollë, e dendur dhe me rrudha (palë-palë), e qëndisur me mjeshtëri.
-
Jeleku: Korse e hapur pa mëngë, zakonisht prej kadifeje të kuqe, e mbuluar me qëndisje të dendura ari dhe sumlla prej sermi.
-
Maniku: I punuar me tezgjah dhe me fudulla prej sermi.
-
Çorapet dhe Opingat: Çorape leshi me ngjyra me thurje dekorative dhe opinga lëkure (ose këpucë karakteristike).
-
Stolitë: Kurora dhe Gjerdani me grashatarë dhe kryq; Vathët me napolona; Unazat në filigran; Hajmalia dhe kryqi të stolisura me gurë shumëngjyrësh; Rreshta me napolona dhe gurë shumëngjyrësh.
-
Futa: Copë që e vendoste nusja përpara me ngjyrë të zezë dhe kuqe.
2. Veshja e Burrit
Më e thjeshtë, por shumë burrërore dhe praktike:
-
Këmisha: E bardhë, me grykë të hapur dhe mëngë të gjata.
-
Tirqit: Pantallona prej shajaku të bardhë me 12 gajtanë të zinj anash. Janë të ngushta pas këmbës dhe të gjera te beli.
-
Xhamadani: Jelek i shkurtër shajaku, i dekoruar me gajtanë të zinj ose të kuq të errët.
-
Brezi i leshit: Rrip shumë i gjatë (disa metra) që mbështillet rreth belit për të mbajtur armët apo mjetet.
-
Qeleshja (Plisi): E rrumbullakët ose pakëz e shtypur sipër, e punuar me lesh dhensh të shkelur mirë.
-
Çorapet dhe Opinga: Çorape leshi të bardha që mulohen pjesërisht nga tirqit.
3. Materialet Kryesore
• Mëndafshi: Prodhimi vendas i krimbit të mëndafshit që i jep veshjes shkëlqim dhe lehtësi.
• Shajaku: Lesh i rrahur fort për tirqit dhe veshjet e dimrit.
Leshi: Për brezat, çorapet, pshtjellcat dhe pshtjellaket.
• Pambuku: Për këmishat, tlinat, boçet dhe manikët.
Grupi i nxenësve të shkolles "Pjetër Zarishi".